Skuadra kampione e Kosovës në futsal dhe njëherit fitues i Kupës, Liburni ka nisur me këmbë të mbarë ndeshjet në “UEFA Futsal Cup” për sezonin 2017/18.
Skuadra nga Gjakova i ka mbajtur një leksion të vërtetë kampionit të Francës, Garges Djibson, në ndeshjen e parë kualifikuese të raundit kryesor (Main Round), në kualifikimet për UEFA Futsal Cup, duke i mundur ata me rezultatin 6:4.
Figurë kryesore te skuadra e Liburnit në këtë ndeshje ishte Halim Selmanaj, i cili realizoi 4 gola, teksa nga një gol shtuan edhe Alaj dhe Mejzini. Në anën tjetër autorë të golave për ekipin e Garges Djibson, ishin Kebe, De Sa Andrade dhe Mendy, i cili realizoi dy gola.
Liburni gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë edhe ndeshjen e dytë në kuadër të grupit të pestë eliminatorë ndaj nikoqirëve të Nacional Zagreb, ku me fitore eventuale do të fitonte të drejtën për të qenë pjesë e “Elite Rounde”, ku bëjnë pjesë skuadrat më të fuqishme Evropiane për momentin.