Angellovski beson në fitore ndaj Lihtenshtejnit

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll sonte ndaj Lihtenshtejnit në Strumicë do të zhvillojë ndeshjen e fundit në kuadër të ciklit eliminatorë për Botërorin “Rusi 2018”, njofton “infOSport.mk”.

Është kjo një mundësi e artë e të përzgjedhurve të seleksionuesit Igor Angellovski për ta mbyllur me fitore këtë cikël, i cili zgjoi shpresa, sidomos pas ndeshjeve të bëra nga ana e futbollistëve “verdhekuq” gjatë vitit 2017-të, përfshirë këtu edhe barazimin e fundit ndaj Italisë në Torino.

Pikërisht ky barazim ka bërë që atmosfera në taborin e përfaqësueses së Maqedonisë të jetë në një nivel të lartë, ndërsa vetë seleksionuesi Angellovski beson se e njëjta do të vazhdojë edhe pas ndeshjes së sontme ndaj Lihtenshtejnit, ndaj së cilës përfaqësuese pret një fitore.

“E fituam Lihtenshtejnin në transfertë, ndërsa tani dëshirojmë ta fitojmë edhe në shtëpi në Strumicë, për të mbyllur me fitore kualifikimet e Botërorit Rusi 2018. Pres që futbollistët edhe në këtë ndeshje të futen maksimalisht të motivuar dhe të tregojnë një lojë cilësore, përmes së cilës do arrijmë edhe tek fitorja e dëshiruar” – tha Angellovski, i cili për takimin e sontshëm paralajmëroi edhe disa ndryshime në formacion: “Do të ketë disa ndryshime në formacion, ndërsa me siguri edhe në skemën e lojës. Darko Velkovski nuk do të mund të luaj për shkak të lëndimit që morri në ndeshjen ndaj Italisë, ndërsa për shkak kartonit të verdhë në Torino nuk do të mund të luaj edhe Stefan Spirovski. Megjithatë besoj se ka futbollistë të gatshëm që presin rastin e tyre për të luajtur”.

Maqedonia pas 9 xhirove të zhvilluara në kuadër të grupit “G” ka regjistruar dy fitore, njërën prej të cilave në transfertën ndaj kundërshtarit të sontshëm, Lihtenshtejnit (0:3), ndaj së cilës skuadër shpreson të marrë pikët e planifikuara edhe sonte, me të cilat do të arrinte në kuotën e 11 pikëve.

Aktualisht Maqedonia me 8 pikë renditet në pozitën e 5-të, teksa Lihtenshtejni me 0 pikë mban fenerin e këtij grupi, që sonte do të na dhurojë edhe super ndeshjen midis Shqipërisë dhe Italisë si dhe ndeshjen Izrael – Spanjë.

Ndeshja Maqedoni-Lihtenshtejn që do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë starton në ora 20:45.

Leave a Reply