Të hënën Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë ndeshjen e saj të fundit në kuadër të ciklit eliminatorë për Botërorin “Rusi 2018” ndaj Italisë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Është kjo një mundësi e mirë që me një rezultat pozitiv “kuqezinjtë” tanë të mbyllin këto eliminatore, me shpresë se eliminatoret e ardhshme për Evropianin e vitit 2020 të jenë më të suksesshme nën drejtimin e trajnerit të ri, Kristian Panuçi.
Ky i fundit për ndeshjen ndaj “axurrëve” nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e dy titullarëve nga ndeshja e fundit me Spanjën, Taulant Xhaka dhe Azdren Llullaku, të cilët për shkak kartonëve të marrë mbrëmë ndaj “iberikëve” janë të pezulluar për këtë përballje. Kjo bëri që menjëherë pas Spanjës ata të largoheshin, duke u rikthyer në skuadrat e tyre.
Megjithatë lajm i mirë për trajnerin Panuçi është rikthimi në skuadër i tre futbollistëve tjerë të pezulluar më parë, Odise Roshi, Burim Kukeli dhe Mërgim Mavraj, i cili do të luaj rolin e liderit në mbrojtjen “kuq e zi” përballë sulmit të italianëve.