Derisa Spanja i gëzohet kualifikimit për në Botërorin e vitit 2018-të në Rusi, pas fitores së të premtes ndaj Shqipërisë, këta të fundit mund të ju “gëzohen” shtyllave, duke pasur parasysh se Llullaku gjatë pjesës së parë goditi traversën, teksa në pjesën e dytë Sadiku goditi shtyllën.
Ishin këto dy momentetë mira që kishte kombëtarja shqiptare në transfertën në Alikante, ku pa dyshim se bëri një lojë shumë më të mirë se ajo nga ndeshja e parë në “Loro Boriçi”, kur nën drejtimin e Xhiani De Biasit kishin pësuar disfatë me rezultatin 2:0, dhe mbi të gjitha duke mos rrezikuar në asnjë rast portën e “iberikëve”. Megjithatë kështu nuk ishte edhe mbrëmjen e së premtes në tokën spanjolle, ku Shqipëria e Panuçit u tregua më agresive, ndërsa si rezultat janë edhe 14 goditjet në drejtim të portës së De Geas.
Edhe përkundër këtij fakti Shqipëria nuk arriti që të shënojë të paktën një gol, ndërkohë Spanja një gjë të tillë bëri me shumë stil, duke shënuar 3 gola në një interval kohor prej vetëm 11 minutash, kur Rrodrigo fillimisht në minutën e 16-të shënoi për 1:0, për të dyfishuar rezultatin Isko në minutën e 24-të, teksa vetëm 3 minuta më pas në listën e golashënuesve u regjistrua edhe futbollisti i Bajernit të Munihut, Tiago Alkantara.
Pas kësaj fitore, Spanja bëhet kombëtarja e katërt, pas Gjermanisë, Anglisë dhe Belgjikës, që siguron një vend për në Kampionatin Botëror të vitit 2018-të që do të mbahet në Rusi.