Lajme jo të mira për Interin dhe trajnerin Spaleti në prag të derbit ndaj Milanit. Mesfushori kroat, Brozoviç mund të jetë mungesa e madhe për ndeshjen e 15 tetorit.
Ai u dëmtua ashtu si edhe Manxhukiç në ndeshjen e mbrëmshme që kombëtarja kroate e zhvilloi ndaj Finlandës, duke u ankuar në disa probleme muskulore.
Futbollisti i Interit kësisoj nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar kombëtaren e tij në ndeshjen e fundit të grupit “I” ndaj Ukrainës, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, ndërsa nuk dihet nëse do të mund të rikuperohet me kohën për ndeshjen e madhe ndaj Milanit.
Ai doli nga fusha në minutën e 54-të, ndërkohë që mjekët e “zikaltërve” kanë telefonuar stafin mjekësor të kroatëve për ta pasur sa më parë në dispozicion lojtarin.