Ish trajneri i Dinamos së Tiranës, Zlatko Daliç është emëruar në postin e trajnerit te Kombëtarja kroate, njofton “infOSport.mk”.
Ai në këtë post do të zëvendësojë Ante Çaçiç, i cili mbrëmë u shkarkua nga ana e drejtuesve të Federatës së Futbollit kroat pas atij barazimi ndaj Finlandës në teren vendas, që mund të ju kushtojë me mos pjesëmarrje në Botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi.
Daliç pjesë e Dinamos së Tiranës ka qenë në sezonin 2008-2009, ndërkohë gjatë karrierës së tij si trajner ai ka udhëhequr edhe skuadrat kroate të Varteksit, Rijekës dhe Slaven Belupos, ndërkohë në Azi drejtoi skuadrat si Al Faisaly, Al Hilal dhe Al Ain, pjesë e së cilës skuadër ishte së fundmi.
Ai gjithashtu ka luajtur edhe rolin e ndihmës trajnerit të Drazhen Ladiç në Kombëtaren U21 të Kroacisë, ndërsa tashmë do të ketë rastin që të udhëheq edhe Kombëtaren A, me të cilën do të debutojë në ndeshjen e së hënës, një ndeshje kjo për jetë a vdekje për Kroacinë, që do të përballet me Ukrainën në Kiev.
Që të dyja këto kombëtare kanë nga 17 pikë dhe ndajnë pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit në grupin “I” pas Islandës që mban pozitën e parë me 19 pikë.
Pikërisht ndeshja me Ukrainën do të vendos se cila prej këtyre dy kombëtareve do të sigurojë pozitën e dytë dhe në atë mënyrë edhe ndeshjet e “play-off” për kualifikim në Botërorin “Rusi 2018”.