Gostivari ka shënuar një fitore të lehtë në transfertën ndaj Zajazit në Kërçovë. Skuadrës së trajnerit Mensur Jakupi i mjaftoi vetëm pjesa e parë për të marrë tre pikët e plota, që rikthyen këtë skuadër në pozitën e parë.
3:1 ishte rezultati përfundimtarë i takimit të zhvilluar në Kërçovë, që kaloi në mënyrë vëllazërore, me një mikpritje të jashtëzakonshme nga ana e drejtuesve të Zajazit.
Fitoren e Gostivarit e paralajmëroi Boban Mariç, i cili u gjind më së miri pas ekzekutimit të rivënies nga këndi dhe me kokë shënoi për 1:0. Nuk vonoi shumë dhe pas një aksioni të filluar nga mesfusha, Blendi Bekteshi shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e vendasve, teksa goli i tretë mban formën e Filip Despotovskit.
Në pjesën e dytë Gostivari u tërhoq duke pushuar disa nga futbollistët standard, ndërsa mos interesimin e tyre për të shënuar edhe një gol tjetër, e shfrytëzuan vendasit të cilët përmes Agon Hashimit realizuan edhe golin e nderit në këtë përballje.
Gostivari falë kësaj fitore arrin në kuotën e 14 pikëve, duke u rikthyer në krye të tabelës së klasifikimit para Vëllazërimit, skuadër kjo e cila ndeshjen e javës së 7-të do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme, kur në Kërçovë do të mirëpret Novacin. Në anën tjetër Zajazi me vetëm 5 pikë të tubuara mbetet në pozitën e fundit.