Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi në një prononcim për “Top-Channel” thotë se problemet me trajnerin Kristian Panuçi janë pjesë e së shkuarës dhe ai do të japë më të mirën në vazhdim me “kuqezinjtë”.
Ai kujton se Spanja një vit më parë u mund nga Gjeorgjia dhe këtë gjë mund ta bëjë edhe Shqipëria.
“Gjithçka tashmë është qetësuar dhe e gjitha i mbetet të shkuarës. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e grumbullimit dhe shpresoj që të bëjë më të mirën. Kthehem pasi një suksesi me skuadrën time ku edhe shënova. Nuk do të doja të ndodhte asnjëherë, por edhe këto situata janë pjesë të jetës dhe futbollit, por e rëndësishme është që tashmë është kaluar. Fjalët janë të tepërta për Spanjën dhe Italinë, por unë e kam thënë që nëse do të bëjmë diçka në këto ndeshje do të ishte madhështore. Një vit më parë, Spanja është mundur në shtëpi nga Gjeorgjia dhe kjo tregon se edhe ata gabojnë edhe pse ishte ndeshje miqësore. Uroj që edhe kjo e jona të jetë e rrallë për Spanjën. Futbollit asnjëherë nuk i dihet.”, tha sulmuesi për Top Channel.