Shumë kokëdhembje për trajnerin Xhanpjero Ventura në prag të ndeshjeve ndaj dy shteteve ballkanase, Maqedonisë dhe Shqipërisë në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”.
Pasi ditë më parë u bë e ditur se pjesë e këtyre dy ndeshjeve nuk do të mund të jetë dyshja Andrea Beloti – Marko Verati, sot mësohet se ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë do të mungojë edhe dyshja Daniele De Rosi dhe Pelegrini. Që të dy futbollistët e repartit të mesfushës u ankuan në lëndime pas derbi ndeshjes ndaj Milanit, në të cilën Roma shënoi fitore me rezultatin 2:0.
ITALIA ME DY MUNGESA NDAJ MAQEDONISË DHE SHQIPËRISË
Në vend te Daniele De Rosit, seleksionuesi Ventura ka ftuar Roberto Galjardinin e Interit, teksa në vend të Pelegrinit, një ftesë për në kombëtare ka marrë Brajan Kristante, bashkëlojtari i Etrit Berishës te Atalanta, i cili ishte njëri prej autorëve të golave në ndeshjen ndaj Juventusit, që ishte mbyllur me barazimin 2:2.
Ndeshjen e parë Italia do ta zhvillojë ndaj Maqedonisë me datë 06 tetor në stadiumin “Olimpiko” të Torinos me fillim në ora 20:45, ndërsa në të njëjtin termin vetëm tre ditë më vonë “axurrët” do të jenë mysafir të Shqipërisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës.