Një ndër futbollistët më të talentuar shkupjan, Besnik Ferati është rikthyer në Shkup, pas testimeve disa ditore që kishte te gjigandët turq të Fenerbahçes, njofton “infOSport.mk”.
17-vjeçari për 10 ditë të plota ishte pjesë e akademisë së skuadrës turke, duke qenë nën vëzhgim të stafit të trajnerëve të Fenerbahçes. Ata kanë mbetur të kënaqur me performancën e treguar nga ana e talentit shkupjan, i cili me shumë gjasa shumë shpejtë do të bëhet pjesë e tyre.
Për shkak të obligimeve reprezentuese, Ferati ndodhet në vendlindje, ndërsa gjatë ditës së djeshme, ai luajti me ekipin e të rinjëve të FC Shkupit, duke ndihmuar skuadrën nga Çairi për të mundur rivalët e përbetuar të Vardarit.
Ndryshe edhe mediat turke kanë shkruar për talentin e FC Shkupit dhe mundësinë që ai shumë shpejt ti bashkohet Fenerbahçes dhe të vazhdojë rrugëtimin e transferimeve të futbollistëve nga Maqedonia, pas Elif Elmaz të Rabotniçkit.
Rikujtojmë Besnik Ferati ishte pjesë e atyre dy miqësoreve midis FC Shkupit dhe Fenerbahçes, në të cilat ndeshje Ferati u kishte shënuar gjigandëve turq, të cilët më pas i bënë ftesë atij, së bashku edhe me Altin Sefon dhe Besir Isenin, të cilët gjithashtu ndodhen në testime te Fenerbahçe.