Vëllazërimi nuk njeh rivalë këtë edicion në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë – Perëndim. Të besuarit e trajnerit Nazmi Ajdini zhvilluan edhe një super ndeshje tjetër, duke mundur liderët e deritanishëm Gostivarin në ndeshjen e javës së 6-të me rezultatin 2:1, shkruan “infOSport.mk”.
Sulmuesi më në formë këtë edicion në LDFM, Murat Adili paralajmëroi fitoren e Vëllazërimit me golin e realizuar në minutën e 35-të.
Ky gol ishte valid deri në minutën e 74-të, kur në skenë doli Albulen Imeri, që realizoi edhe golin e dytë, që njëherit iu dha fund shpresave të futbollistëve vendas, të cilët deri në fund të takimit arritën që të shënojnë golin e nderit me anë të Filip Despotovskit.
Për Gostivarin ishte kjo disfata e parë këtë edicion, edhe atë në teren vendas, teksa pas kësaj fitore Vëllazërimi morri edhe kryesimin e renditjes me 13 pikë, një më shumë se Struga Trim Lum në vendin e dytë, derisa Gostivari me 11 pikë ndodhet në vendin e tretë.