Britaniku Luis Hamilton ka marrë “pole position” e 70 në karrierë në këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Malajzisë, duke maksimalizuar shpresat e tij për një sukses në garën e e së dielës.
Gjithçka është lehtësuar për britanikun e Mercedesit pas lajmit për tërheqjen e Sebastian Fetel që në sesionin e parë të provave zyrtare, një largim që përkthehet me vendin e fundit për startin e garës. Motori i gjermanit të Ferrarit dështoi në provat e lira dhe pavarësisht punës së inxhinierëve të skuadrës italiane, ishte e pamundur që të rikuperohej problemi brenda 2 orëve.
Megjithatë, “Kokëkuqja” mban shpresat gjallë për garën e nesërme duke qenë se piloti tjetër i tyre, Kimi Raikonen, regjistroi një kohë vetëm 74 të mijëtat më ngadalë sesa ajo e Luis Hamilton. Finlandezi do të niset përkrah tij në linjën e parë të startit.
Ndërkohë, në linjën e dytë do të jenë dy makinat Red Bull. Maks Verstapen, ditën që mbushi 20 vjeç, regjistroi kohën e tretë më të shpejtë në këto prova, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Daniel Rikardo, do të startojë nga vendi i katërt.
Vetëm në të pestin gjendet Mercedesi tjetër i Valtteri Bottas, i cili nuk mundi të jetë në të njëjtin ritëm me Hamilton. Gjithsesi, gara e Malajzisë me këtë renditje në prova parashikohet të jetë spektakolare, në një duel distance mes britanikut të Mercedesit dhe Sebastian Fetelit, i cili shprehet optimist për një rezultat pozitiv. (top-channel)