Shkëndija sot në Tetovë do të zhvillojë derbin e parë lokal të këtij sezoni kundër Renovës, njofton “infOSport.mk”. Është pa dyshim kjo ndeshja që do të zgjojë më shumë interesim për fytbolldashësit në vendin tonë, duke pasur parasysh se këto ndeshje gjithnjë kanë sjellë futboll cilësor dhe rezultate të papritura. Lidhur me këtë takim, trajneri i “kuqezinjëve” Osmani nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e futbollistit titullar, Ivan Çelikoviç dhe dy futbollistëve të talentuar, Aarbin Zejnullai dhe Shefit Shefiti.
Këta dy të fundit me ekipin e të rinjëve kanë udhëtuar për në Sllovaki, për të ndihmuar skuadrën e tyre në ndeshjen eliminatore kundër Nitras në kuadër të UEFA Youth League, teksa Çelikoviç do të mungojë për shkak dëmtimit që e pësoi në ndeshjen e së dielës ndaj Skopjes në lagjen “Hekurana” të Shkupit.
Testet mjekësore kanë vërtetuar se lëndimi i tij nuk është i natyrës së rëndë. Futbollisti kroat ka pësuar distorzion të shkallës së parë në kyçin e këmbës dhe ekipi mjekësor parashikon që rikuperimi i plotë të zgjas një javë, ashtu që ai nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve do të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e rradhës kundër Pelisterit në Manastir.