Shkupi gjatë ditës së sotme në Çair do të mirëpret Pelisterin në ndeshjen e javës së 8-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Do të jetë kjo ndeshja e fundit e FC Shkupit gjatë raundit të para të garave në LPFM që do ta zhvillojë në teren vendas, e ku kërkojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
“Besoj se kemi forcë të mjaftueshme për të marrë dhe fitoren e radhës dhe fundin e fazës së parë ta presim më të qetë në mesin e ekipeve më të mira. Do të bëjmë apel deri te tifozët tanë që të jenë në numër sa më të madh, pasi ata si zakonisht na frymëzojnë edhe më shumë drejt sukseseve dhe fitoreve të reja. Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në formë dhe te të gjithë ekziston dëshira për suksese të reja”, është shprehur Husein Demiri për faqen zyrtare të klubit.
Ndeshja FC Shkupi –Pelisteri starton në ora 15:30 në stadiumin e Çairit në Shkup, ndërsa arbitër kryesor i këtij takimi do të jetë Stojançe Tërpçevski nga Kavadari me ndihmësit e tij nga Shkupi, Igor Shirilov, Nikolla Bozhinovski.