Aliji dhe Osmani mendojnë për fitoren e EuroMilkut

Dy futbollistët shqiptarë, që sezonin e fundit luajtën bashkë te Liria dhe që tashmë sërish luajnë bashkë te EuroMilku, Burah Aliji dhe Florent Osmani, ishin dy më të merituarit për fitoren e skuadrës së tyre në ndeshjen e sotme të javës së katërt në Ligën e Dytë Perëndim ndaj  Makedonija Gjorçe Petrovit, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy shënuan golat e fitores së skuadrës së tyre, që në fund edhe përkundër disavantazhit që kishte, shënoi fitore me rezultatin 2:1.

Kristijan Kostovski 5 minuta para fundit të pjesës së parë kaloi në epërsi skuadrën nga Gjorçe Petrovi, teksa kumanovari Aliji vetëm pas 5 minutave lojë në pjesën e dytë përmes penaltisë arriti që të barazojë shifrat në 1:1.

Ky rezultat ishte valid deri në fundin e kohës së rregullt, atëherë kur në skenë doli Florent Osmani, që në minutat shtesë të takimit shënoi golin e fitores  për EuroMilkun, skuadër kjo e cila tashmë me këto tre pikë të reja figuron lartë në tabelën e klasifikimit.

Skuadra nga lagjia e Lisiçes pas 4 xhirove ka tubuar 7 pikë, dhe aktualisht ndanë pozitën e tretë me Vëllazërimin e Kërçovës, që sot barazoi 1:1 në transfertën ndaj Labunishtës.

Leave a Reply