Jasir Asani edhe zyrtarisht është bërë pjesë e Partizanit nga Superliga shqiptare e futbollit, shkruan “Vipsport-i” shqiptarë.
Futbollisti i taentuar shkupjan do të regjistrohet me ekipin B të Partizanit, që më pas të ketë të drejtën të luajë me ekipin e parë në Superligë.
Për shërbimet e Asanit ka pasur shumë interes gjatë merkatos së verës, ku në garë ishin edhe disa klube të tjera si nga Shqipëria, përfshirë këtu edhe Kukësin, por edhe nga Turqia, me skuadrat si, Eskishehirspor, Elazigspor, Aytemiz Alanyaspor, Balikesirspor Baltok.
Gjatë karrierës së tij Asani ka veshur fanellën e Vardarit, FC Shkupit dhe Pobedës, për të cilën skuadër zhvilloi vetëm dy ndeshje kampionale gjatë këtij sezoni.
Ai gjithashtu ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Maqedonisë, por në fund zgjodhi ekipin U-21 të Shqipërisë, kur edhe u pajis me pasaportë shqiptare.
Për Asanin është ky transferimi i parë jashtë vendit, ndërsa aventura me Partizanin do të jetë një eksperiencë e madhe në karrierën e talentit shqiptarë, i cili përmes kategorisë Superiore dëshiron të jetë sa më shumë në syrin e Kombëtares shqiptare.
Prezantimi i 22-vjeçarit Jasir Asani te Partizani pritet të bëhet ditëve në vazhdim.