Edhe zyrtarisht ka marrë fund telenovela Jasir Asani. Futbollisti i talentuar shkupjan është prezantuar nga drejtuesit e Partizanit, me të cilën skuadër ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare.
Ai shprehet shumë i lumtur që më në fund ka bërë ëndërrën realitet dhe se do të jap më të mirën nga vetja për të gëzuar armatën e madhe të tifozëve të skuadrës nga kryeqendra shqiptare.
“Jam shumë i lumtur që nga sot jam pjesë e Partizanit , një klub i madh në Shqipëri. Premtoj të jap maksimumin tim për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave dhe të bëjmë një prezantim pozitiv në Europë. I premtoj tifozëve të Partizanit se do të jap maksimumin ti gëzoj në çdo ndeshje” – deklaroi Asani gjatë prezantimit të tij te Partizani.
Asani është një lojtar i formuar në akademinë e klubit të Vardarit, skuadër me të cilën ka fituar edhe 2 tituj kampion në Maqedoni. Gjithashtu ai në formë huazimi për 6 muaj luajti me FC Shkupin, që më pas të transferohet te Pobeda nga rradhët e kampionëve në fuqi të Maqedonisë. Ai te Pobeda luajti vetëm dy ndeshje, ndërsa tashmë edhe përfundimisht ka gjetur veten te skuadra 15 herë kampione e Shqipërisë.