Përveç problemeve në aspekt të rezultateve, Realin e Madridit po e ndjek i njëjti fat edhe me futbollisët e lënduar. I fundit që është dëmtuar është braziliani Marselo, që pritet të mungojë rreth një muaj nga fushat e futbollit.
Mbrojtësi brazilian vuan nga një dëmtim i gradës së dytë në kofshën e këmbës së majtë. Lajmin e ka konfirmuar nga klubi madrilen, të cilët mbeten të shqetësuar, duke pasur parasysh se edhe zëvendësimi i Marselos, Teo Hernandez ende nuk është rikuperuar dhe se rikthimi i tij në fushën e blertë pritet të ndodhë vetëm pas dy javëve. Kësisoj vendin e futbollistit të krahut të majtë te Reali do ta zërë, Naço.
Ndërkohë nëse gjithçka shkon sipas planit, Karim Benzema, Toni Kros, Mateo Kovaçiç dhe Hesús Valeho janë futbollistët që pritet të rikthehen nga dëmtimet dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjes së shtunës në drekë ndaj Derportivo Alaves, drejtimin e së cilës skuadër prej sot e ka marrë ish strategu i Kombëtares shqiptare, Xhiani De Biasi.