Futsal Shkupi në prag të sezonit të ri është përforcuar me tre emra të rinj, me të cilët beson se do t’ia dalë të mbroj titullin e kampionit në elitën e futsalit vendor.
Bëhet fjalë për shkupjanët Skender Kovaçi dhe Vedat Arslan, si dhe për tetovarin, Ismet Ceka.
Ky i fundit vjen nga rradhët e SEE Universitetit, teksa Vedat Arslan së fundmi ishte pjesë e Juventus Seravës. Ndërkohë sa i përket Skender Kovaçit, ai ishte pjesë e asaj gjenerate të parë të Futsal Shkupit, kur skuadra nga Çairi arriti që të ngjitet në Ligën e Parë të Futsalit.
“Me përforcimet që i kemi marrë dhe eksperiencën që kemi kalu në Linc të Austrisë, ambiciet tona janë që ta mbrojmë titullin e kampionit si dhe ta fitojmë Kupën e Maqedonisë. Me dy ish lojtarët që kanë kaluar në Republikën e Kosovës që të vazhdojnë atje të luajnë futboll, kemi disa ngecie të vogla, por me dy prurjet e reja në sezonin e ri besoj se do t’ia dalim” – tha Skender Kovaçi, i cili ishte bashkë me klubin nga Çairi edhe në ndeshjet para eliminatore të Ligës së Kampionëve në Linz të Austrisë.
Rikujtojmë nga Shkupi gjatë merkatos së verës u largua dyshja Erkan Seferi – Rexhep Sulejmani, ndërsa drejtuesit e klubit besojnë se prurjet e reja do të zëvendësojnë mungesën e tyre.
Ndeshjen e parë Futsal Shkupi do ta zhvillojë të dielën, kur si vendas do të mirëpret ekipin e Kratovës, një skuadër që këtë vit siguroi një vend në mesin e më të mirëve.