Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana karrierën e tij në nivel kombëtaresh do të mbyllë zyrtarisht në ndeshjen që “kuqezinjtë” do ta zhvillojnë me 09 tetor ndaj Italisë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë ceremoninë e posaçme për mbylljen dinjitoze të karrierës së kapitenit legjendar, i cili ishte një lider i padiskutueshëm te Kombëtarja shqiptare, për aq vite sa mbante shiritin e kapitenit.
Futbollisti me origjinë nga Gjakova, me 93 ndeshje gjithashtu mban edhe rekordin e ndeshjeve të zhvilluara me fanellën e Kombëtares shqiptare, i cili mbrëmjen e 09 tetorit do të marrë mirënjohje për gjithë kontributin e tij nga ana e Federatës shqiptare të futbollit, e cila në këtë mënyrë vlerëson kapitenin e pazëvendësueshëm, i cili ishte një stimul për shumë futbollistë të rinj shqiptarë që luanin në Evropë për të pranuar për të veshur fanellën “kuq e zi”.