Jasir Asani ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë këtyre ditëve në mediat shqiptare. Edhe pse gjithçka ishte e gatshme për të nënshkruar me Partizanin, një gjë e tillë nuk ndodhi, ndërsa së fundmi thuhet se interes për të kanë shfaqur kampionët në fuqi të Kukësit.
Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmon edhe vetë futbollisti shkupjan, i cili thotë se është në bisedime e sipër me skuadrën nga Verilindja e Shqipërisë.
“Po e vërtetë është që më kanë kontaktuar nga skuadra e Kukësit. Kam marrë një telefonatë nga ata. Unë ju kam treguar kushtet e mia, ashtu që pres tash përgjigje nga ata. Jemi në rrugë të mirë për të gjetur një gjuhë të përbashkët kur janë në pyetje financat, edhe pse në fillim hasëm në mosmarrëveshje. Shpresojmë gjithçka të zgjidhim brenda këtyre ditëve” – tha Asani në prononcimin e tij për “infOSport.mk”.
Asani së fundmi ishte pjesë e Pobedës nga Prilepi, te e cila skuadër kaloi nga rradhët e Vardarit, teksa gjithashtu më herët si i huazuar luajti me fanellën e FC Shkupit.