Stadiumi i qytetit të Tetovës nesër do të pret takimin ndërmjet Shkëndijës dhe Sileksit të vlefshme për xhiron e 6-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. “Kuqezinjët” në këtë përballje hyjnë me atmosferë pozitive, pas atij suksesi në fundjavë që shënuan fitore rekorde ndaj Rabotniçkit në Gjorçe Petrov.
Pas 5-së xhirove të zhvilluara në sezonin e ri, Shkëndija mban pozitën e parë në tabelë me 12 pikë të tubuara, me të përzgjedhurit e Qatip Osmanit që dëshirojnë ta vazhdojnë këtë ecuri edhe më tej.
“Nesër presim një rezultat pozitiv me ndeshjen me Sileksin. Jemi mobilizuar mirë dhe vijmë nga një fitore e rëndësishme ndaj Rabotniçkit. Do të japim maksimumin tonë për të arritur një rezultat pozitiv dhe deri në fund të arrijmë objektivat e klubit, sepse çdo gabim na kushton shumë dhe nuk duhet të humbim shumë pikë. Nesër ju premtojmë një fitore dhe ta ruajmë kreun e tabelës”, ka thënë Mevlan Murati për median zyrtare të Shkëndijës.
Trajneri i “kuqezinjëve” Osmani ka në dispozicion të gjithë lojtarët për ndeshjen e nesërme. Takimi Shkëndija-Sileksi luhet nesër me fillim në orën 15:30.