Borusia Dortmund-Këlln përfundoi me rezultatin 5:0 për “verdhezinjtë”, por ndeshja mund të riluhet për shkak të VAR-it.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Sinjal Iduna Park” ndihma teknologjike ndërhyri në një episod në zonën e Këllnit dhe bëri që arbitri të merrte vendimin e gabuar.
Bëhet fjalë për golin e dytë të Dortmundit, në fund të pjesës së parë, kur portieri i Këllnit humbi topin pas një kontakti në zonë.
Arbitri jep faull, ndërkohë që Sokratis Papastathopoulos shënon në kohën që loja ishte e ndaluar.
VAR-i thotë se nuk ka faull dhe arbitri akordon golin e dytë për vendasit, duke bërë një gabim teknik, pasi nuk mund të shënohet gol kur loja është ndaluar.
“Ka dy gjëra që nuk shkojnë. E para, loja ishte ndaluar dhe nuk mund të akordohet një gol që u realizua kur loja ishte e ndaluar nga arbitri. E dyta, protokolli nuk parashikon që VAR-i të ndërhyjë për faullat në sulm”, – tha drejtori sportiv i Këllnit, i cili njoftoi se klubi do të kërkojë përsëritjen e ndeshjes.