Ish seleksionuesi i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biasi vazhdon të jetë në kërkim të një oferte të duhur për të punuar me një projekt afatgjatë.
Srategu italian ishte në bisedime e sipër me Australinë, por kjo e fundit ka vendosur t’i besojë Ante Postecoglut drejtimin e Kombëtares edhe në sfidat “play-off” për Botërorin 2018, ndaj për De Biasin ka filluar nga e para kërkimi për një sistemim të ri.
Me sa duket, ai nuk tërhiqet më nga ideja për të shkuar në Azi, edhe pse objektivi i tij për momentin është Evropa dhe kampionatet prestigjioze.
“Ekipi im i ardhshëm? “Ndoshta mund të jem në drejtimin e një tjetër Kombëtareje, ose në Spanjë apo në Angli. Kthim në Serinë A? Tani është e vështirë për të thënë nëse mund të realizohet një gjë e tillë”, – tha ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare në një intervistë për “La Stampa”.
Rikujtojmë De Biasi udhëhoqi Shqipërinë për 6 vite (2011-2017), ndërsa nën drejtimin e tij, kombëtarja “kuq e zi” arriti suksesin më të madh historik, duke u kualifikuar për në Evropianin e vitit 2016-të në Francë. Aktualisht Kombëtarja shqiptare udhëhiqet po nga një italian tjetër, Kristian Panuçi, i cili e nisi mbarë me një fitore ndaj Lihtenshtejnit dhe barazim ndaj Maqedonisë në transfertë.