Skopje pa dyshim se ka bërë surprizën e javës në elitën e futbollit vendor, ku sot në program ishin ndeshjet e javës së 5-të. Skuadra nga Hekurana që udhëhiqet nga ish kapiteni legjendarë i Vardarit, Ljupço Markovski, barazoi 1:1 në ndeshjen ndaj kampionëve në fuqi të Vardarit, të cilët para ndeshjes shiheshin si favorit absolut.
Megjithatë gjërat rrodhën ndryshe në fushën e stadiumit në lagjen e Hekuranës, ku Vardari edhe përkundër dominimit, nuk arriti të shënojë më shumë se një gol, po aq sa shënoi edhe skuadra vendase e Skopjes.
Braziliani Felipe kaloi në epërsi Vardarin me golin e realizuar në minutën e 26-të, teksa 10 minuta më pas Xhuguriç i vendasve barazoi rezultatin pasi i vodhi një top Darko Vellkovskit para zonës kundërshtare dhe me një goditje precize arriti që të mposht potierin Gaçevski.
Te Vardari në këtë ndeshje që nga minuta e parë luajtën Visar Musliu dhe Besar Iseni, i cili u zëvendësua në minutën e 60-të nga ana e Goran Popov, ndërsa në anën tjetër te Skopje nga minuta e 84-të në lojë u inkuadrua Ensar Sulejmani.
Vlen të ceket se Vardari nga minuta e 51-të luajti me një futbollist më pak në fushë, pas përjashtimit të kapitenit Boban Grnçarov me të kuq.
Foto+Video: gol.mk