Shkëndija në harkun kohor prej vetëm disa ditëve sërish do të përballet si mysafire me Rabotniçkin. Pas barazimit 1:1 të mëkurën në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë, të dielën pason dueli i vlefshëm për xhiron e 5-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
Pas katër xhirove të zhvilluara Shkëndija është lidere e tabelës me 10-të pikë të grumbulluara , teksa në anën tjetër Rabotniçki që ka një ndeshje më pak (3 ndeshje të zhvilluara), ende nuk e ka shijuar aromën e fitores.
Ata në ndeshjen e javës së fundit u mundën në Çair nga FC Shkupi, teksa Shkëndija në Tetovë u ndal në barazim nga Pobeda, skuadër kjo e cila ndërpreu në këtë mënyrë serinë prej tre fitoreve të njëpasnjëshme të “kuqezinjëve”.
Futbollisti i krahut të djathtë te Shkëndija, BllagojaTodorovski thotë se skuadra e tij nuk duhet bërë gabime si në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Pobedës, kur humbi edhe dy pikë të planifikuara.
“Pritjet e Shkëndijës janë të mëdha, kështu që në këtë ndeshje normal shkojmë për tre pikë. E them se janë të rëndësishme për Shkëndijën këto tre pikë për më tutje në kampionat. E dimë se pas atij gabimi ndaj Pobedës si vendas, se nuk duhet më të bëhen gabime të tilla. Kemi marrë mësim nga ajo ndeshje dhe shpresoj se do të nxjerrim rezultat pozitiv të dielën. Rezultat pozitiv don të thotë fitore për Shkëndijën. Do e them sërish tre pikë të rëndësishme, pasi megjithatë Rabotniçki nuk është ekip i dobët, posaçërisht kur luan në teren vendas. Shpresoj të bëjmë sukses të mirë të dielën dhe të vazhdojmë më tej me ritëm të njëjtë” – tha Bllagoja Todorovski për kanalin zyrtarë të klubit.
Trajneri Qatip Osmani për takimin e nesërm do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi nuk ka problem me lëndime apo pezullime, kështu që në fushë pritet të nxjerë formacionin ideal që vlerëson se për momentin do të sjellë suksesin e rradhës për Shkëndijën, që aktualisht me 10 pikë kryeson renditjen tabelare.