Eurobasket 2017, finalja do të jetë ballkanase

Serbia është finalistja e dytë në kuadër të kampionatit evropian të basketbollit, shkruan “infOSport.mk”. Kombëtarja serbe mundi Rusinë në gjysmëfinalen e dytë me rezultatin 87:79, duke siguruar në këtë mënyrë një përballje për në finalen e madhe, ku do të takohet me Sloveninë.

Do të jetë kjo një finale ballkanase, e para në historikun e evropianeve në basketboll.

Ndeshja e mbrëmshme midis Serbisë dhe  Rusisë e zhvilluar në Stamboll ka qenë mjaft e luftuar mes të dyja kombëtareve, me Rusinë që kryesonte përgjithësisht me 2 pikë diferencë.

Duel i fortë ishte midis rusit Aleksei Shved dhe serbit Bogdan Bogdanoviç, ku të dy basketbollistët ishin shumë të saktë në realizimin e pikëve.

Basketbollisti serb edhe pse realizoi më pak pikë se Shved, ai në fund doli triumfues. Bogdanoviç realizoi 24 pikë, teksa Shved plotë 33 pikë, por që nuk i mjaftuan kombëtares ruse për të prekur finalen e madhe, që në program është të dielën me fillim në ora 20:30.

Ndërkohë sot me fillim në ora 16:00 do të zhvillohet ndeshja për medaljen e bronztë midis Spanjës dhe Rusisë.

Për Serbinë do të jetë kjo finalja e parë pas plotë 8 viteve, pasi për herë të fundit ata një gjë të tillë kishin bërë në vitin 2009, teksa në anën tjetër për Sloveninë, do të jetë kjo finalja e parë në historikun e tyre.

Leave a Reply