Slovenia është finalistja e parë e Eurobasket 2017-të, që për herë të parë u zhvillua në 4 shtete të ndryshme. Përfaqësuesja ballkanike eliminoi kampionët në fuqi të Spanjës në gjysmëfinalen e parë të kampionatit evropian të basketbollit, duke shënuar fitore në Stamboll me rezultatin 92:72.
Për Sloveninë është kjo hera e parë në historikun e saj që do të luaj në një finale nga një kompeticion i rëndësishëm, siç është Kampionati Evropian. Ndeshja ishte mjaft e luftuar në pjesën e parë midis të dyja kombëtareve, por Slovenia u fut në pjesën e dytë plot energji dhe arriti që të krijonte diferencë me iberikët.
Heroi i ndeshjes ishte 18 vjeçari slloven Luka Donçiç, i cili në këtë mënyrë i dha fund ecurisë prej 13 fitoresh të “iberikëve” në kuadër të Evropianeve në Basketboll.
Për Spanjën si satisfakcion i vetëm mbetet medalja e bronztë, pra lufta për vendin e tretë, ku për kundërshtarë mirëpret humbësin nga përballja e dytë gjysmëfinale midis Serbisë dhe Rusisë që në program është sonte me fillim në ora 20:30.