Daja: I kënaqur vetëm me pjesën e parë të ndeshjes

Skenderbeu u mposht me përmbysje në Ukrainë nga Dinamo Kievi me rezultat 3:1 në ndeshjen e parë të grupit B në Liga Evropa. Të parët që shkuan në avantazh ishin korçarët me anë të Muzakës, mirëpo vendasit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë.

Trajneri i Skenderbeut, Ilir Daja pas ndeshjes është shprehur se ndjehet i kënaqur me pjesën e parë të lojës, por jo edhe me të dytën.

“Jam i kënaqur me mënyrën si e filluam ndeshjen. Gjatë gjithë pjesës së parë bëmë një punë shumë të mirë. Pas pushimit, fatkeqësisht, çdo gjë ndryshoi. Por, të mos harrojmë se luanim në transfertë, kundër skuadrës më të mirë të grupit. Normalisht ishte pikërisht Dinamo favoritja kryesore për të fituar këtë ndeshje, edhe pse, ashtu si shkoi pjesa e parë, mund të shkonte edhe ndryshe. Kur mundeshim me rezultatin 2-1, tentuam të ushtronim presion ndaj kundërshtarit, për të barazuar rezultatin, por më pas penalltia na theu. Tentuam të freskojmë lojën tonë nëpërmjet zëvendësimeve, por nuk sollën ndryshim. Arsyeja kryesore pse sot humbëm ishte fillimi shumë i keq i pjesës së dytë. Për më tepër, bëmë dy zëvendësime të detyruara. Po të mos ishte për këto, rezultati përfundimtar mund të ishte ndryshe. Megjithatë kemi pesë ndeshje të tjera përpara dhe do të provojmë të marrim maksimumin e pikëve për të kapur vendin e dytë në grup.”, ka thënë pas ndeshjes Daja në konferencën për shtyp.

Leave a Reply