Paraqitjet e mira të Shkëndijës dhe Vardarit në Europë kanë reflektuar pozitivisht edhe në renditjen e Maqedonisë në ranglistën e UEFA-s në kompeticionet ndërkombëtare për klubet: Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës.
Kështu, Maqedonia renditet në vendin e 37-të nga 55 federata pjesëmarrëse – përfshirë këtu dhe Izraelin.
Maqedonia në pesë vitet e fundit ka grumbulluar 7.250 pikë dhe merr pjesë me katër skuadra: 1 në Ligën e Kampionëve dhe 3 në Ligën e Europës.
Për dallim nga Maqedonia, Shqipëria ndodhet një pozitë më lartë me 7.500 pikë, teksa Kosova me vetëm një paraqitje në Europë ndodhet në vendin e fundit, por për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia që marrin pjesë me nga 4 skuadra, ajo merr pjesë vetëm me dy skuadra, siç ishte rasti këtë vit kur në eliminatoret e Ligës së Kampionëve u paraqit me ekipin e Trepça ’89, teksa në Liga Europa, me Prishtinën.
Ndryshe Maqedonia në këtë renditje ka arritur që të lë pas vetes Finlandën, Irlanën, Bosnjë-Hercegovinën, Letoninë, Estoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Gjeorgjinë, Armeninë, Maltën, Luksemburgun, Iralndën e Veriut, Uellsin, Ishujt Faroe, Gjibraltarin, Andorrën dhe Kosovën.
Renditjen Europiane e kryeson, Spanja me 91.141 pikë, e ndjekur nga Anglia me 64.642 pikë. Të dyja paraqiten me nga shtatë skuadra në Europë.