Stadiumi nacional “Telekom Arena” rrezikon të mbetet pa ndeshje të futbollit të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, për shkak të rritjes drastike të çmimeve nga ana menaxhuesve. Udhëheqësia e re e Shoqatës shtetërore për Menaxhim me hapsira banesore dhe zyrtare, që zotëron edhe arenën më të madhe në vend stadiumin “Telekom Arena” ka sjellë vendim për të trefishuar çmimet për shfrytëzimin e stadiumit më të madh në vend, ku ndeshjet si vendas i luajnë Vardari dhe Rabotniçki, ndërsa i njejti në Europë shfrytëzohet nga gjithë skuadrat tjera nga Maqedonia.
Nëse deri tani një ndeshje në futbollin vendor kushtonte pak më shumë se 1 000 euro, çmimi i ri është 3 000 euro. Ndërkohë 6 000 euro kushton zhvillimi i një ndeshje në termin të natës, deri sa deri tani për një të tillë është paguar rreth 1 600 euro. Që vendimi i ndryshimit të çmimeve të kompletohet me imazhin e shantazhit, shërben fakti se për ndeshjen e parë të grupeve të Liga Europës, Vardarit i është caktuar çmim prej mbi 35 mijë eurove.
Deri sa skuadra nga Shkupi detyrohet në Europë të pranojë kushtet e reja, pasi ai është stadiumi i vetëm në vend që plotëson kushtet për zhvillimin e ndesjeve ndërkombëtare të kësaj kategorie, ndryshon puna për ndeshjet e Ligës së Parë. Aty si pasojë Rabotniçki dhe Vardari detyrohen të zgjedhin alternativë për ndeshjet e tyre si vendas, me shumë gjasa në Gjorçe Petrov, ndërsa “Telekom Arena” super luksoze do të qëndrojë e zbrazur. (SHENJA)