Futbollisti i njohur kumanovar, Orhan Ademi, i cili pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar në Gjermani, shumë lehtë mund të ndodhë që të veshë fanellën e skuadrës së Shkëndijës nga Tetova, mëson “infOSport.mk” nga burime të afërta me futbollistin.
Aktualisht Ademi luan në Ligën e tretë gjermane me skuadrën e Würzburger Kickers, te e cila skuadër u transferua në gusht të këtij viti nga rradhët e skuadrës së Ried. Ai ma parë kishte luajtur edhe me Braunshvajgun, me të cilën skuadër në sezonin 2013/2014 luajti në Bundesligë.
Pikërisht sezonin paraprak në Bundesliga II, Ademi ishte një ndër futbollistët më standard, duke regjistruar 30 paraqitje dhe 4 gola të shënuar, ndërsa edhe në elitën e futbollit gjerman, Ademi ishte ndër futbollistët më standard te Braunshavajgu, duke zhvilluar plotë 25 ndeshje dhe duke shënuar një gol, në përballjen ndaj gjigandëve të Shalkes.
Ndryshe rolin e ndërmjetësuesit dhe njëherit njeriu më meritor që veçmë ka bindur Ademin për Shkëndijën, është ish futbollisti i Bashkimit të Kumanovës, Kujtim Qaili, i njohur edhe me pseudonimin “Daja Gixh”, që njëherit njihet edhe si një tifoz i flaktë i Shkëndijës.
Megjithatë lidhur me transferimin e mundshëm të sulmuesit kumanovar te Shkëndija, fjalën e fundit do të duhet ta japë trajneri Qatip Osmani, që më pas të vihen edhe kontaktet në nivel klubesh, duke pasur parasysh se Ademi me ekipin e Würzburger Kickers ka kontratë deri në verën e vitit 2019-të.