Ditë më parë numri një i Federatës shqiptare të futbollit, Armando Duka, përmes një letre falenderimi, uroi homologun e tij, Ilço Gjorgjioski për organizimin “perfekt” të ndeshjes së 05 shtatorit midis Maqedonisë dhe Shqipërisë që u zhvillua në Strumicë.
Ishte ky një skandal i rradhës nga ana e Federatës shqiptare të futbollit që në një farë mënyrë u “mbulua” nga fakti se ndeshja në përgjithësi u mbyll pa asnjë incident.
Megjithatë nuk mund të mbulohet skandali i lënjës jashtë i një numri të konsiderueshëm tifozësh shqiptarë nga tifo grupet “Ballistët” dhe “Plisat”, të cilët të organizuar kishin udhëtuar drejt Strumicës për të përkrahur Kombëtaren “kuq e zi”.
Skandal në vete gjithashtu atë mbrëmje ishte edhe fërshëllimi i himnit kombëtarë shqiptarë para fillimit të ndeshjes, mirëpo që nuk kishte hasur edhe në veshin e Armando Dukës, i cili në mënyrën më të mirë po vazhdon të bëjë diplomaci. Megjithatë i rikujtojmë Dukës që “diplomaci” duhet bërë edhe me tifozët shqiptarë dhe jo karshillëk, siç ka bërë deri më tani, pasi në fund të fundit marrdhëniet me tifozët janë shumë të rëndësishme, pasi janë pikërisht ata që atë natë në Strumicë me brohoritjet e tyre të pandalshme, edhe pse në numër të vogël, u bënë karshillëk plotë 5000 tifozëve maqedonas dhe në një farë mënyrë ndihmuan djelmoshat tanë “kuqezinj” që të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të largohen në fund të pamposhtur.