Zgjerohet Liga e parë e basketbollit, a do jetë edhe KB Shkupi pjesë e saj?

Këshilli drejtues i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë dje në një seancë të mbyllur, ka sjellë vendim për zgjerimin e Ligës së Parë nga 10 në 12 skuadra, njofton “infOSport.mk”.

Është ky një rast i mirë për skuadrat e Ligës së Dytë, të cilat sezonin e kaluar e kishin mbyllur nga pozita e 3-të, deri në pozitën e 8-të.

Në mesin e tyre është edhe klubi i vetëm shqiptarë, KB Shkupi, të cilët janë të gatshëm për të qenë pjesë e elitës.

“Patjetër që jemi të interesuar. Kemi kualitet dhe forcë sa i përket fondit të basketbollistëve, mirëpo nuk mund të themi se kemi edhe fond të mjaftueshëm të financave. Pikërisht këtu qëndron prolemi, mirëpo nëse gjinden sponzor dhe na ndihmon komuna e Çairit, atëherë neve do shohim mundësinë që sezonin e ri të garojmë në mesin e më të mirëve, pasi skuadrat tjera si duket nuk kanë interesim për tu inkuadruar në Ligën e Parë” – tha enkas për “infOSport.mk” trajneri i KB Shkupit, Enver Miftari.

Përveç KB Shkupit, ndër skuadrat tjera që mund të bëhen pjesë e Superligës janë edhe Karposh Sokoli 2, Akademia FMP, Crn Drim, Vodnjanski  dhe Teteksi.

Afati i fundit për të paraqitur pjesëmarrjen e tyre në Superligë, gjithë këto skuadra do ta kenë datën 13 shtator, kur edhe do të duhet që të paguajnë kotizim në vlerë prej 630 000 denarësh.

Në rast se asnjëra prej skuadrave të Ligës së Dytë nuk është e interesuar që të jetë pjesë e Ligës së Parë, atëherë rast për të qenë sërish pjesë e saj do të kenë dy skuadrat që vitin e kaluar humbën statusin e skuadrave elitare, Pelisteri dhe Vardari, shkruan “infOSport.mk”.

Ekziston edhe mundësia e tretë, që në rast se ekipet e Ligës së Dytë plotësojnë vetëm njërin vend, atëherë Pelisteri dhe Vardari përmes ndeshjes së balotazhit të plotësojnë emrin e skuadrës së dytë që sezonin e ri 2017/2018 do të luante në Ligën e Parë të Basketbollit në vend.

 

Leave a Reply