Futbollisti i njohur tetovar, Agim Ibraimi, para disa ditësh u bë pjesë e skuadrës sllovene të Domzhale, aty ku gjeti edhe bashkëkombasin e tij, Zeni Husmani.
Ky i fundit shprehet shumë i lumtur që do luaj bashkë me Agimin, ndaj të cilit deri më tash kishte luajtur vetëm si kundërshtarë, që nga koha kur ai luante me Mariborin në kampionatin elitarë të Sllovenisë.
“E njoh personalisht Agim Ibraimin dhe jam shumë i kënaqur që ai na është bashkuar neve. Besoj se Domzhale ka bërë një punë të mirë me angazhimin e tij pasi bëhet fjalë për një person shumë të mirë dhe mbi të gjitha futbollistë shumë cilësorë. Deri më tash kemi qenë vetëm kundërshtarë në fushë nga koha kur ai luante me Mariborin, ndërsa tash do jemi shok dhe do luajmë për të njëjtën skuadër. Vërtetë mezi pres të luajmë bashkë” – tha fillimisht në prononcimin e tij për “infOSport.mk” futbollisti tetovar, Zeni Husmani.
Domzhale këtë vit shënoi suksesin më të madh në historikun e saj në garat evropiane, duke luajtur në fazën “play-off” të Liga Evropa, ku u eliminuan nga gjigandët francez të Olimpikut të Marsejës.
Këtë vit ambiciet e kësaj skuadre janë edhe më të mëdha, ndërsa shpresojnë se me Ibraimin në skuadër, një gjë e tillë do të jetë edhe më e lehtë.
“Besoj se këtë vit do të arrijmë suksese edhe më të mëdha, pasi kemi një skuadër shumë potente. Me ardhjen e Ibraimit sigurisht që jemi edhe më të fuqishëm. Ai e njeh shumë mirë kampionatin slloven, ku dy herë është zgjedhur edhe si futbollistë më i mirë, ashtu që ndihma dhe përvoja e tij do të jetë shumë e madhe në realizimin e ambicieve të klubit, që janë vetë kreu i tabelës dhe lufta për titull” – përfundoi Husmani, i cili ka luajtur në pesë, nga gjithsej 7 ndeshjet e sezonit të ri në elitën e futbollit slloven.
Pas 7 xhirove të para Domzhale renditet në pozitën e 6-të me 9 pikë të tubuara, duke regjistruar dy fitore, tre barazime dhe dy disfata. Ndeshjen e rradhës Domzhale do ta zhvillojë të shtunën, kur në shtëpi në kuadër të javës së tetë do të mirëpret ekipin e Triglav.