Futbollistët e skuadrave të mëdha europiane marrin paga të majme me kontratat e tyre që zakonisht nuk janë me kohëzgjatje më të ulët se 4 vite.
Edhe pse futbolli në Itali ka qenë në një krizë financiare vitet që lamë pas, yjet e skuadrave ende paguhen ngjashëm si kolegët e tyre që luajnë në Angli, Francë apo Spanjë.
Mediat italiane shkruajnë se dy futbollistët që paguhen më së shumti në Itali janë Leonardo Bonuçi dhe Gonzalo Higuain.
Sulmuesi argjentinas paguhet 7.5 milionë euro në vit te Juventusi, kurse Bonuçi i cili gjatë kësaj merkatoje u transferua nga Juventusi te Milani, ka një pagë vjetore prej 8 milionë euro. Megjithatë kjo nuk është e tëra, pasi për mbrojtësin italin vlejnë edhe disa bonuse që mund ta çojnë pagën e tij në 10 milionë euro në vit.
Një tjetër futbollist që merr një pagë të majme në Serie A është edhe argjentinasi tjetër, Paulo Dybala që merrë 7 milionë euro në vit, i ndjekur nga Daglas Kosta (6 milion) dhe Xhanluixhi Donaruma (6 milionë).
Sa i përket trajnerëve, Massimiliano Allegri është më i paguari me 7 milionë, i ndjekur nga Spalletti i Interit me 4 milionë euro në vit.