Futbollisti shkupjan, Shaban Sulejmani është larguar nga Skopje dhe i është bashkuar Vëllazërimit në Ligën e Dytë – Perëndim. Ai luajti vetëm një ndeshje me ekipin e Skopjes në elitën e futbollit vendor, edhe atë ndaj Renovës, në të cilën ndeshje skuadra nga Hekurana kishte barazuar pa gola.
Ai së fundmi ishte pjesë e Vllaznisë së Pozheranit në futbollin kosovar, me të cilën skuadër shkruajtën historinë, duke siguruar një vend për në elitën e futbollit vendor.
“Prej sot jam një futbollist i ri i Vëllazërimit të Kërçovës. Me pëlqim të dyanshëm vendosëm të prishim kontratën me Skopjen. Besoj se me Vëllazërimin do arrijmë atë që drejtuesit e klubit edhe kanë planfikuar që para startit të sezonit” – tha Shaban Sulejmani në një prononcim për “infOSport.mk”.
Sulejmani pjesë e Vëllazërimit ishte edhe në sezonin 2015/2016, kur kjo skuadër udhëhiqej nga strategu tetovarë, Xhengis Rexhepi, me të cilën skuadër në fund dolën në pozitën e katërt.