Ndonëse koret raciste nga ana e tifozëve maqedonas nuk munguan, madje nuk mungoi dhe fërshëllima e himnit shqiptarë në fillim të takimit, numri një i Federatës shqiptare të futbollit, Armando Duka ndeshjen e mbrëmshme ndaj Maqedonisë të zhvilluar në Strumicë e cilësoi si të organizuar në mënyrë perfekte.
“Organizimi ishte perfekt dhe nuk e prisja që gjithçka të shkonte kaq mirë. Megjithatë, udhëtimi i largët ishte një problem më vete”, tha Duka.
Vërtetë kjo një deklaratë shumë kontradiktore e numrit një të futbollit shqiptarë, duke pasur parasysh se po ajo Federatë e Futbollit të Maqedonisë, që ju kishte shitur biletat tifozëve shqiptarë, të njëjtit nuk i lejoi që të futen brenda stadiumit, me arsyetimin se me vete nuk posedonin karta identifikimi.
E gjithë kjo shkaktoi reagime të shumta nga ana e tifozëve “kuq e zi”, një pjesë e të cilëve për gjatë 90 minutave qëndruan jashtë stadiumit “Mladost” në Strumicë, gjithnjë të shoqëruar nga ana e njësisë speciale të policisë së Maqedonisë.