Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, nuk zbuloi detaje në lidhje me formacionin, por mund të kuptohet lehtë se ndryshimet do të jenë të pakta.
Me rikthimin e Armando Sadikut në sulm, Llullaku do të ulet në stol, ose kalon në të majtë dhe në stol do të jetë Grezda. Kjo është një nga dilemat e trajnerit kuqezi, i cili ka edhe “kartën” Hyka për lojtarin, që do të mbështesë Sadikun nga e majta, pasi në të djathtë është Odise Roshi.
Dilema tjetër është në mesfushë, ku duket se ka një balotazh mes Kukelit dhe Bashës, me të parin më të favorizuar, sepse në ndeshjen e fundit luajti pak minuta dhe ka më shumë energji, përveçse mbron më shumë. Dyshja tjetër që plotëson mesfushën pritet të jenë Memushaj dhe Abrashi.
Ndërkohë sa i përket mbrojtjes dhe portës, ajo pritet të jetë e njëjta sikurse në ndeshjen me Lihtenshtejnin, me Berishën në portë, Hysaj dhe Agollin në krahë si dhe Mavrajn dhe Ajetin në qendër të mbrojtjes.