Disfata e Italisë ndaj Spanjës thuajse u ka dhënë fund diskutimeve reth kualifikimit të drejtëpërdrejtë të “axurrëve” në Botërorin e vitit 2018-të që do të mbahet në Rusi.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Ventura, nuk dukej në gjendje të rivalizonte me spanjollët e Lepotegit, dhe meqë këta të fundit vështirë se do të humbin 2 nga 3 ndeshjet e mbetura në grupin “G”, thuajse e kanë të mbyllur çështjen e kualifikimit me vendin e parë në grup.
Ndaj në Itali tani numërojnë pikët që duhen për të siguruar vendin e dytë, që siguron ndeshjet e “play-off”, ndërsa tashmë për këtë pozitë “axurrët” si rival kryesor shohin Shqipërinë, edhe pse me 4 pikë diferencë.
Aktualisht Italia ka 16 pikë, teksa Shqipëria 12 sosh. Në rast se “kuqezinjtë” e Ppanuçit marrin një tre pikësh në transfertën në Strumicë, kjo do shtojë edhe më shumë frikën në kampin e italianëve, të cilët në ndeshjen e fundit do të jenë mysafir të Shqipërisë në Shkodër.
E përditshmja sportive më e madhe në Itali, “La Gazzetta Dello Sport”, nuk ngurron të theksojë se pavarësisht turpërimit në “Santiago Bernabeu”, Italia nuk duhet të mendojë se është aq shumë në telashe, shkruan ‘panorama sport’.
Sipas saj, kombëtarja e drejtuar nga Ventura ka luksin që të mbyllë këto eliminatore me një humbje tjetër, pikërisht ndaj Shqipërisë.
“Ta marrim veten nga tronditja dhe të lexojmë me kujdes klasifikimin: nëse tani kemi frikë edhe nga Shqipëria, atëherë i kemi punët pisk. Vazhdojmë të kemi 16 pikë, duke mundur Izraelin dhe Maqedoninë në shtëpi, mund të kemi edhe luksin të humbim në Shkodër. Ndaj vendi i dytë nuk mund të na ikë. Pastaj do të mendojmë për play-off dhe rivalët e mudnshëm”, shkruhej në artikullin e sotëm ku bëhej analiza e përfaqësueses italiane.