Shkupi më i mirë se Vëllazërimi

Skuadra e FC Shkupit ka shënuar fitore në miqësoren e sotme ndaj  Vëllazërimit të Kërçovës. Të besuarit e trajnerit Ardian Nuhiu shënuan fitore me rezultatin 2:1, ndërsa edhe sot strategu shkupjan ju dha mundësinë të gjitha futbollistëve që ka në dispozicion, njëjtë sikurse dhe homologu i tij, Nazmi Ajdini.

Shkupi e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar raste shënimi, ndërsa goli erdhi vetëm pak çaste para fundit të pjesës së parë, kur Kristijan Stojkoski me një goditje nga rreth 20 metrash plasoi topin në këndin e majtë të portës kundërshtare për avantazh të Shkupit.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë të dyja skuadrat shënuan nga një gol. Fillimisht  ishin mysafirët nga Kërçova që shënuan golin e barazimit me anë të Mirlind Ibraimit, teksa për fitoren e FC Shkupit u përkujdes i riu, Omar Imeri.

Deri në minutat e fundit të ndeshjes Shkupi kishte edhe disa raste të tjera shënimi, por që në fund nuk kishte më ndryshim të rezultatit.

Në këtë ndeshje për Shkupin luajti edhe përforcimi i fundit, malazezi Ivan Fatiç, i cili luajti 35 minuta solide duke u njoftuar për herë të parë me fushën e Çairit dhe bashkëlojtarët e tij.

Leave a Reply