Ndeshja e grupit “I”, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” midis Kroacisë dhe Kosovës, e ndërprerë mbrëmë pas vetëm 22 minutave lojë, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që kishte kapluar Zagrebin, do të zhvillohet sot.
Kështu ka vendosur FIFA, që ka bërë të ditur edhe kohën e zhvillimit, 14:30.
Përballja do të nisë prej minutës së 22-të, atëherë kur edhe ishte ndërprerë ndeshja, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, që bën të pamundur zhvillimin normal të takimit.
Edhe pse në takimin me dy ekipet përfaqësuese, u la e hapur mundësia që Kroaci-Kosovë të shtyhej për një datë të mëvonshme, gjatë paradites së sotme një ekip i specializuar nga ana e FIFA-s pas kontrolleve të bëra konfirmoi që fusha e stadiumit në “Maksimir” ofron kushtet e duhura për zhvillimin e ndeshjes.