Panuçi debuton me fitore me Shqipërinë (VIDEO)

Kristian Panuçi ka debutuar me fitore në bankinën e kombëtares shqiptare. Të besuarit e strategut italian sonte në “Elbasan Arena” mundën Lihtenshtejnin me rezultatin 2:0, duke arkëtuar në këtë mënyrë tre pikët e planifikuara që para fillimit të ndeshjes, shkruan “infOSport.mk”.

 

Shqipëria dominoi ndeshjen që nga fillimi, mirëpo golat erdhën vetëm në pjesën e dytë. Odise Roshi në minutën e 54-të shënoi golin e parë, kur mjaft mirë u gjind para 5-metërshit të portierit mysafir, duke divijuar në rrjetë goditjen e Migjen Bashës.

Golin e dytë për Shqipërinë e realizoi kapiteni Ansi Agolli, në minutën e 78-të. Për Agollin ishte ky goli i tretë i shënuar me fanellën e kombëtares shqiptare, dhe i pari në një ndeshje zyrtare.

Falë kësaj fitore Shqipëria arriti në kuotën e 12 pikëve, duke lënë pas vetes Izraelin me 9 pikë, ndërkohë dy pozitat e para mbahen nga Spanja dhe Italia me nga 16 pikë, dy skuadra këto që ndeshjen e tyre do ta zvillojnë sonte me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply