Shkëndija e mbyll me dy gola epërsi pjesën e parë ndaj Gostivarit (VIDEO)

Ka përfunduar pjesa e parë në ndeshjen e 1/16 së finales të Kupës së Maqedonisë midis Gostivarit dhe Shkëndijës, që në këto momente po zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gostivar, shkruan “infOSport.mk”

Shkëndija ashtu edhe siç pritej po avanson ndaj skuadrës së Ligës së Dytë, edhe atë me rezultatin 2:0.

Besart Abdurrahimi shënoi golin e parë në minutën e 34-të, kur pasi u lirua nga portieri vendas arriti që të vendos topin në rrjetë, edhe përkundër tentativës së futbollistëve vendas për të luajtur rolin  e portierit.

Abdurrahimi luajti rol edhe në shënimin e golit të dytë në minutën e 41-të, kur mjaft mirë pasoi për Arbin Zejnullahun, i cili me një goditje të fuqishme nga brendia e zonës shënoi dhe golin e dytë në rrjetën e vendasve.

Shkëndija në këtë ndeshje po luan me një formacion krejt ndryshe nga ai që jemi mësuar ta shohim, ndërsa bie në sy edhe debutimi i kërçovarit, Xhelil Asani, përforcimit të fundit të skuadrës tetovare që sot u prezantua me fanellën “kuq e zi”.

Leave a Reply