Valon Ahmedi, një futbollist kërçovarë ky i lindur në Ohër, është grumbulluar me Kombëtaren A të Shqipërisë, duke kurorëzuar në këtë mënyrë gjithë mundin e tij, pas atyre paraqitjeve mbresëlënëse me fanellën e Mariborit. Pikërisht forma e tij e shfaqur me fanellën e shumë herë kampionëve të Slovenisë, bindi trajnerin Kristian Panuçi për ti dhënë mundësinë futbollistit shqiptarë nga Maqedonia, i cili do të jetë i vetmi që do të veshë fanellën “kuq e zi” në ndeshjet e shtatorit që Shqipëria do ti zhvillojë kundër Lihtenshtejnit (02 shtator) dhe Maqedonisë (05 shtator).
Valon Ahmedi u shfaq sot para mediave shqiptare, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ai me bindje të plotë tha se ka zgjedhur Shqipërinë prej kohësh dhe se është i lumtur që tanimë është thirrur në Kombëtare.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kam lindur në Ohër, por jam nga Kërçova. Është një ëndërr e plotësuar për mua. Të jem shqiptari i vetëm i Maqedonisë në Kombëtare është krenari”.
“Kam luajtur me Latifin, kam luajtur edhe me Grezdën. Tani jemi bashkë, janë lojtarë të mirë dhe shpresoj të jemi sa më gjatë bashkë”.
“Vendimi për Kombëtaren? E kam bërë zgjedhjen time me kohë, e kam bërë me zemër. Dua Shqipërinë, më mirë një ndeshje me kombëtaren shqiptare, sesa dy me Maqedoninë”.
“Komunikimi me Panuçin? Kam pasur një telefonatë ku më ka përgëzuar për kualifikimin me Mariborin. Jam një lojtar teknik, shpresoj të jap kontributin tim. Është një moment magjik për mua, po më ecën gjithçka mirë, si me klubin, ashtu edhe tani me kombëtaren. Jam shumë i lumtur, shpresoj të vazhdoj kështu”.