Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të shtunën ka marrë shkresë nga FIBA, në të cilën kjo e fundit e ka bërë të qartë se nëse palestra e vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk e arrin kapacitetin e 3,000 (tre mijë ulëseve), atëherë ndeshjet për kualifikimet evropiane të Kupës së Botës “Kina 2019”, përfaqësuesja kosovare e basketbollit nuk do të mund t’i luaj në Prishtinë.
FIBA po ashtu e ka paralajmëruar FBK-së se më 20 dhe 21 shtator do të dërgoj Lubomir Kotleba-n, këshilltar i Sekretarit Gjeneral të FIBA-s për të inspektuar palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
“Më lejoni t’ju përgëzoj për sigurimin e një vendi në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Për të qenë sa më të përgatitur që është e mundur për ndeshjet e muajit nëntor, do të kishim pasur dëshirë që të vlerësojmë palestrën që e keni paraqitur në platformë. Kjo do të bëhet nëpërmjet një vizite inspektuese dhe në bazë të informative që i keni ofruar, palestra nuk mund të miratohet nëse nuk i përmbush të gjitha kriteret e nevojshme.
Vizita do të shërbej për të qartësuar nëse palestra mund të shfrytëzohet ose nëse mund të bëjmë përjashtim për ta shfrytëzuar atë dhe nëse masat mund të ndërrmeren në mënyrë që palestra të miratohet.
Në qoftëse disa kërkesa minimale nuk mund të përmbushen, ekziston mundësia që ju të luani ndeshjet jashtë vendit, derisa të keni palestër të përshtatshme e regjistruar në vendin tuaj.
Lubomir Kotleba, këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA-s do të vizitoj Prishtinën më 20 dhe 21 shtator 2017”, citohet të ketë thënë shkresa e FIBA-s.
FBK në muajin mars e kishte paraqitur për regjistrim në platformën e FIBA-s për ndeshjet kualifikuese, palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, por kjo palestër nuk ishte pranuar nga FIBA, pasi që ajo duhet të ketë kapacitet prej 3,000 ulëseve.
Këtë informatë FBK e kishte marrë zyrtarisht nga FIBA në muajin maj dhe menjëherë të njëjtën e kishte përcjellë tek institucionet përgjegjëse të shtetit kosovar, të cilat që nga ajo kohë ende nuk kanë ndërrmarr asgjë në këtë drejtim.
Duhet theksuar se në rast se nuk merren masa të menjëhershme në këtë drejtim, atëherë Përfaqësuesja A e Kosovës, e cila së fundi ka arritur sukses historik duke e siguruar një vend në mesin e 32 kombëtareve për në kualifikimet për Kupën e Botës, ndeshjet e saj eliminatore do të detyrohet të luaj jashtë vendit.
Duke pasur parasysh se edhe Shqipëria nuk posedon një palestër me rreth 3000 ulëse, në rast se shteti kosovar nuk zgjidh këtë problem brenda kësaj periudhe të shkurtë që ka mbetur në dispozicion, ekziston mundësia që Kosova ndeshjet e saj ti zhvillojë në Shkup, në palestrën “Boris Trajkovski” që përmbush të gjitha kriteret e kërkuara nga ana e FIBA-s.