Bregallnica e Shtipit e ka nisur me fitore aventurën në Ligën e Dytë Lindje, pasi sot në ndeshjen në transfertë me rezultatin 3:1 mundi ekipin e Turnovës, një emër tjetër i njohur për njohësit e futbollit në Maqedoni.
Naumov, Hristov dhe Zdravkov ishin autorë të golave për Bregallnicën, teksa golin e nderit për skuadrën vendase në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Kukush” e realizoi Mihailov.
Në ndeshjen mes dy skuadrave që këtë vit u promovuan në Ligën e Dytë, Plaçkovica mundi Sasa-n nga Makedonska Kamenica me rezultatin 2:1. Hero i skuadrës vendase ishte Martin Petrov, i cili gjatë pjesës së dytë realizoi të dy golat, teksa golin e vetëm për mysafirët gjatë pjesës së parë e realizoi Zoran Zlatkovski.
Osogova falë golit të shënuar nga Manev mundi minimalisht 1:0 skuadrën e Kozhuvit, teksa ndeshja midis Pobedës së Valandovës dhe Borecit u mbyll me barazim pa gola.
Java e parë në Ligën e Dytë – Lindje mbyllet me 12 shtator me ndeshjen ndërmjet Bellasicës dhe Tikveshit, ndeshje kjo që u shtye për shkak ruajtjes së terenit të stadiumit “Mladost” në Strumicë, aty ku me datë 05 shtator do të zhvillohet takimi kmidis Maqedonisë dhe Shqipërisë, i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
LDFM – Lindje, Java I |
||
Osogova | 1 – 0 | Kozhuvi |
Plaçkovica | 2 – 1 | Sasa |
Pobeda Valandovo | 0 – 0 | Boreci |
Turnovo | 1 – 3 | Bregallnica |
Bellasica | 12.09 | Tikvesh 1930 |