Pobeda dhe Shkupi do të takohen sërish brenda vitit 2017-të, por kësaj rradhe në ndeshjen e tyre të parë për sezonin 2017/2018. Skuadra nga Prilepi edicionin e kaluar nuk i lejoi Shkupit asnjë fitore në 4 përballjet mes tyre, duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime. Ndeshja e fundit mes tyre e zhvilluar në stadiumin “Mogilla” në Prilep, ishte mbyllur me barazim 1:1, teksa në Çair në ndeshjen e 7 majit, Pobeda shënoi fitore 2:1, duke i ikur balotazhit, ku luajti skuadra e Shkupit.
Nisur nga ky fakt, edhe nga tabori i “bardhekaltërve” janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë të lehtë edhe në takimin e sotshëm, megjithatë besojnë se nga Prilepi mund të rikthehen kokëlartë.
“Padyshim se na pret një ndeshje mjaft e vështirë, por ne i marrim të gjitha duelet një nga një. Pozitive për ne është që në këtë ndeshje do të jemi gati se të kompletuar, ndërsa në ekip mbizotëron një atmosferë pozitive që premton se do të marrim rezultat pozitiv. Sigurisht se për të arritur këtë duhet të zbatojmë në praktikë urdhrat e marra nga trajneri Ardian Nuhiu, që besoj se me angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve dhe koncentrim më të madh në përmbyllje të aksioneve, do të kthehemi kokëlartë nga kjo përballje”, – u shpreh Bajrami në prononcimin e tij për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.
Ndeshja KF Pobeda – FC Shkupi luhet të shtunën në stadiumin e Mogillës, me fillim në orën 16:30, ndërsa drejtësinë do ta ndajë Marjan Gocevski nga Strumica, me ndihmësit e tij Petar Novaçev (Veles), Toshe Icev (Kavadar) dhe refer i katërt Aleksandar Angellov nga Koçani.