Skuadra e Vardarit bëhet skuadra e parë nga Maqedonia që do të luaj në grupet e një kompeticioni evropian nën ëmbrellën e UEFA-s. Pas eliminimit nga ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve Evropian, ndeshjet e fazës “play-off” të Liga Evropa kundrejt Fenerbahçes, rezultuan me fat për skuadrën kampione të vendit tonë, që arriti në fund të eliminojë gjigandët turk me dy fitore.
Pas fitores 2:0 në ndeshjen e parë në Shkup, sonte ekipi i udhëhequr nga trajneri Çedomir Janevski arriti të shënojë edhe një fitore tjetër, kësaj rradhe me rezultatin 2:1 në transfertën në “Shukru Saraçogllu”, duke siguruar në këtë mënyrë një vend për në grupet e Liga Evropa.
Pas pjesës së parë pa gola, Nojshtader në minutën e 61-të kaloi në epërsi Fenerbahçen, teksa për golin e barazimit për Vardarin u përkujdes, gjeorgjiani Xhigauri vetëm 7 minuta më vonë.
Golin e fitores për Vardarin dhe atë të nokdaunit të vërtetë për Fenerbahçen e realizoi Nikolla Gligorov në minutat shtesë të takimit.
Është ky një sukses i madh për ekipin e Vardarit dhe në përgjithësi për futbollin e Maqedonisë, që për herë të parë do të shoh ndeshje në kuadër të grupeve të Liga Evropa. Shorti i grupeve të këtij kompeticioni do të hidhet nesër në Nion të Zvicrës, aty ku sot u hodh shorti i grupeve në kuadër të Ligës së Kampionëve Evropian.