Skuadra e Vëllazërimit nga Kërçova ka goditur fuqishëm në merkato, duke sjellë në rradhët e veta tre super futbollistë, që kanë një bagazh të mirë në karrierën e tyre, duke luajtur edhe në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë si dhe Superligën e Kosovës.
Fjala është për dy futbollistët shkupjan, Florent Osmani dhe Leonard Kallaba, si dhe për kërçovarin, Murat Adilin, i cili rikthehet në vendlindje, për të mbrojtur ngjyrat e skuadrës së Vëllazërimit që në sezonin e ri do të bëjë gara në Ligën e Dytë – Perëndim. Që të tre me skuadrën e Vëllazërimit kanë firmosur kontrata një vjeçare, teksa më i merituar për transferimin e kësaj treshe, ishte kryetari i ri i klubit kërçovarë, Blerim Sadiku, një djalosh me origjinë nga Kërçova, por i lindur dhe i rritur në Paris të Francës, i cili vendosi që të rikthehet në vendlindje për të ndihmuar skuadrën e tij të zemrës.
Ai gjithashtu ka bërë edhe ndryshim në postin e trajnerit, duke i besuar këtë pozitë Nazmi Ajdinit, i cili në këtë post zëvendëson Xhengiz Rexhepin.
Ndeshjet e xhiros së parë në Ligën e Dytë Perëndim startojnë me 26 gusht, teksa Vëllazërimi do të luaj në transfertën në Shkup ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit.